Gymysh, oret pas kuintave dhe takimi me fansat

Posted on Dhjetor 1, 2011

0


Pasiguria në çdo rast shton adrenalinën, dhe jo pa qëllim Ardit Gjebrea e la deri në momentin e fundit në pikëpyetje ardhjen e aktores së njohur turke të telenovelave, Songul Oden, e njohur si Gymysh. Për partneren e tij turke te “Kënga Magjike 2011” vetëm kishte dëgjuar. Takimi i tyre i parë ndodhi pak orë para natës së spektaklit, ku aktorja u njoh dhe me skenarin, që ia ngrohu zemrën, kur pa se fjalët që do shqiptonte ishin të gjuhës së saj. Përpara mbërritjes, ajo kishte përfytyruar një showman, që do t’i duhej të ishte sfiduese për t’u ndier e barabartë në skenë, ndërsa ai, një vajzë më shumë sesa të urtë. Por në Tiranë të dy u takuan me personat e duhur për një natë show. Ardit Gjebrea e cilëson një udhëtim flash atë të Songul Oden, partneres së tij në finalen e “Kënga Magjike”. Se si iu duk aktorja 30-vjeçare turke, paskuintat me të, pse ajo u largua pak para përfundimit të spektaklit dhe gjithçka rreth udhëtimit të saj disa orësh në Tiranë, Gjebrea i rrëfen në këtë intervistë.

Ardhja e Gymysh në Tiranë u kthye gati në legjendë urbane për ditë të tëra. Ishte Gymysh partnerja që kishe imagjinuar në skenë? Hmm. Në fakt ishte më mirë seç e kisha imagjinuar.

U duk se ju ngjiti partneriteti, pasi u vu re dalja në skenë së bashku gjithmonë me dorën shtrënguar…

Shkoi shumë mirë vërtet. Songul ishte një vajzë e qeshur, e qetë dhe që përshtatej lehtë. Dhe, për hir të së vërtetës, që nga momenti i parë i mbërritjes së saj në Tiranë pata një feeling artistik me të.

Është e vërtetë që ajo doli në skenë pa prova të vërteta?

Po, shumë e vërtetë. Pas mbërritjes së saj në aeroport, ne shkuam në Pallatin e Koncerteve, ku i shpjegova detaje të tipit, ku duhet të hynte e të dilte, pra një ambientim me skenën. Më vonë ndenjëm në hollin e “Sheraton”-it, ku folëm për skenarin dhe pastaj u futëm bashkë në makinë e u drejtuam te “Pallati i Koncerteve” për spektaklin. Në momentet e prezantimit të këngëtave apo publicitetit bënim ndonjë provë të vogël, për të fiksuar fjalët pasuese në prezantimin e radhës.

Dukej shumë e miringranuar me skenarin, aq sa ngjan e pabesueshme që ajo gjithçka ta kishte kapur në moment…

Në fakt po, përshtatja e saj e mënjëhershme në skenë ishte vërtet e një profesionisteje. Në takimin që bëmë në hollin e hotel “Sheraton” për të folur mbi skenarin, unë u përpoqa që t’i vendosja asaj fjalët turqisht në pjesët që ajo do të shfaqej, dhe kisha përzgjedhur fjalë të huazuara nga kjo gjuhë, që i kemi në përdorim si ne shqiptarët, ashtu edhe turqit. Të vetmet fjalë shqip që ajo i përdori ishin “Shohim nominimet, si dhe emrin tim, Ardit… Kisha punuar dy ditë për skenarin, që këtë vit si shumë edicione të “Kënga Magjike”, e kisha shkruar vetë, bashkë me të gjitha situatat e prezantimit në dy netët e para me artistët. Asistentja më përgatiti një fjalor 16 faqe në format A4 me fjalët turqisht, që i kishim dhe në fjalorin tonë dhe kështu kisha material mjaftueshëm për të shkruar këtë skenar.

Ishte Gymysh një artiste tekanjoze, vuri ndonjë kusht të caktuar? Jo, aspak. Në këto raste tekat i bëjnë menaxherët, të cilët ndihen më diva se vetë artistët e tyre. Ndoshta kështu ata bëhen më shumë protagonistë. Pas mbërritjes në mesditën e së shtunës, ajo pohoi se ndihej shumë e lodhur, pasi kishte xhiruar deri në 05:00 të mëngjesit për telenovelën “Shtëpiake të dëshpëruara”.

Dukej e qeshur. Në komunikimin pas kuintave ishte më shumë e përkëdhelur apo tipi që bënte komplimente. Personalisht të komplimentonte?

Ishte natyrë shumë miqësore dhe në fakt më bënte po ashtu komplimente non stop, që nuk ia vlen t’i sjell me detaje. Por një rast që mund të përmend, ishte fakti që ajo ndihej shumë e lodhur dhe donte të minimizonte daljet në skenë. Nga ana tjetër, unë i kërkoja të kundërtën dhe ajo në një moment m’u drejtua duke buzëqeshur: “S’mund të të refuzoj dot ty, Ardit, se je kaq i mirë dhe transmeton kaq shumë energji pozitive”! (qesh)

Por përshtypjet e saj të para për shqiptarët dhe Shqipërinë, cilat ishin?

U shfaq e entuziazmuar. Më pohoi direkt se gjeti një ambient shumë miqësor këtu, madje tha se po i dukej njësoj sikur të ndodhej në qytetin e saj të lindjes Izmir, apo Ankara. Fizionomia e njëjtë e njerëzve, natyra e ngjashme e shqiptarëve me popullin e saj i bëri përshtypje. Aq sa në një moment të bisedës sonë, unë me shaka i thashë se gati 500 vjet ne shqiptarët kemi qenë nën pushtimin tuaj dhe natyrisht që mund të kemi marrë diçka prej jush, madje po të kërkojmë thellë në rrënjët tona mund të dalim edhe kushërinj. (qesh)

Cili ishte opinioni i saj për këngëtarët, shfaqi preferencë për ndonjërin prej tyre?

Ajo ishte e përqëndruar tek skenari, dhe nuk pati mundësi t’i ndiqte perfomancat me vëmendje ashtu siç do donte. Por vërtet reagonte direkt për çdo gjë që i pëlqente, dhe e shijoi shown e natës finale. Por në momentin kur në skenë u shfaq grupi i balerinëve të Albi Nakos, u hutua fare në backstage dhe, duke qëndruar ashtu e habitur, lëshoi një uauuu të zgjatur… dhe “Sa të talentuar!”.

Në sallën e “Pallatit të Koncerteve” atë natë ishin të pranishëm personalitetet të larta të politikës. U takua me ndonjë prej tyre?

Po gjatë momenteve të publicitetit u takua me Kryministrin, z. Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit, znj.Jozefina Topallin. Por mbeti e mahnitur ndërsa gjatë takimit me ministrin e Kulturës, z. Aldo Bumçi dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, duke iu drejtuar atyre me fjalët anglisht, ata ia kthyen përshëndetjen në gjuhën turke. Nuk e priste.

Por bëri përshtypje largimi i saj para mbylljes së festivalit…

Pse? Në fakt, asaj aq shumë i pëlqeu kjo përvojë televizive, saqë nuk donte të ikte pa përfunduar spektakli, por ishte menaxheri i saj, i cili instistoi që aktorja të largohej pa mbyllur spektaklin, pasi ajo sipas tij duhej të shkonte të flinte herët, sepse në mëngjes do të kishte xhirime. Pra, në një farë mënyre, e detyroi menaxheri.

Por shumë menduan se largimi i saj u bë i parakohshëm për të shmangur dyndjen e fansave që kërkonin një autograf prej saj?

Ne i kishim marrë masat që të mos merreshin vesh shumë detaje në lidhje me vendqëndrimin e saj. Kështu që me mbërritjen e saj në Tiranë, kontakti që pati me njerëzit jashtë ishte shumë i pakët. Po ashtu dhe lëvizjet e saj drejt hotelit ishin të kontrolluara.

Për fansat e saj, që janë kryesisht femra, një kuriozitet do të ishte dieta e saj, ushqimet e preferuara…

Nuk e di në fakt, pasi nuk mundëm të drekonim bashkë siç e kishim planifikuar, sepse ajo ndihej e lodhur dhe drekën e kishte ngrënë në avion. Unë di vetëm që kam paguar faturat e saj në hotel. (qesh)

Meqë jemi te pagesa, janë përmendur disa shifra që ajo ka marrë për këtë prezencë të saj në “Kënga Magjike”, si p.sh. 30 milionë. Është e vërtetë?

Jo, nuk është e vërtetë.

Gymysh u bindet kapriciove të menaxherit, lë festivalin pa përfunduar

Ajo u largua para se festivali të mbyllte natën finale, ku kurorëzoi me çmim të parë Redon Makashin me baladën «Më lër të fle». Po ku shkoi Gymysh pasi la «Pallatin e Koncerteve», a fjeti ashtu siç ishte preteksti që dha menaxheri?! Në fakt, nga çfarë morëm vesh, Gymysh pas largimit nga “Pallati i Koncerteve” qëndroi për pak orë në barin e hotel «Sheraton», për t’u relaksuar dhe për të bërë foto me fansat që kishte gjetur aty. Me sa duket, menaxheri donte ta bënte më të rëndësishme ardhjen e Gymyshit në “Kënga Magjike”, ndërsa insistoi se ajo duhej të largohej, pasi ndihej vërtet shumë e lodhur dhe duhej të flinte për t’u zgjuar herët. Por fakti që ajo e ka zgjatur qëndrimin e saj në hollin e hotelit për pak kohë duke takuar dhe bërë fotograi me fansat, tregon se ka qenë thjesht një insistim kapricioz i menaxherit të saj.

KLOTILDA HARKA

Burimi: Panorama Plus

Advertisements
Posted in: Bota e Yjeve